
Azem Shkreli
NË VEND TË PËRSHENDETJES
Shko se furishëm po fryn në mua erë mallkimi që s’të fal.
Dhe dije
Mirë, kurrë më një e një nuk bëjnë një
Si thonte Hikmeti, aj farë poeti me këngë prej zjarri. Shko
Merri me vete lutjet tua, edhe hijen tënde, hiqe zvarrë
Rrugëve si gjenë e ndyrë. Mos u kthe mbas. Mos i harro
Sytë e përlotur në shtekballin tim. Mos thuaj lamtumirë.
Asgjë mos thuaj. Merri me vete gjurmat nëpër të cilat
Erdhe një natë më e përvuajtur se frika dhe hyre në mua.
Shko
Dhe bëhu fjalë e mbrame n’gojën time. Bëhu shkrepëtirë
e fikur
N’ylberin e shikimit tim. Bëhu çdogjë pos Meje e Teje
Dhe asaj që e quajtëm Ne kur i zinim yjet si fluturat
E ua ngjisnim nga një emër mos ta harrojmë emrin tonë.
Kumbonat e pendimit kur çmendet mallit vetmia ose kur
më buza buzën
E han n’pikllim që mëkatin s’e lan, që s’mundet ta shpojë
Gurin e rëndë, gurin e ftohtë të ndarjes. Shko, më mirë
Dhe hesht. Mos u kthe mbas. Mos i harro
Sytë e përlotur n’shtekballin tim. Mos më thuaj lamtumirë
E kur t’shkojsh larg, më larg se prej blerimi n’blerim
E kur t’shkojsh larg, më larg se prej zemre në zemër
Aq larg sa ta harrosh edhe emrin tënd dhe zërin tim,
fshihu prej vetes
Shkurto flokëgjatat, mate me to mendjeshkurtrën tënde
dhe mos qaj. Shko
Se tmerrshëm po lëndrojnë sonte n’mua rrëketë e gjakut
Shko
Merri me vete edhe rrugët të mos kthehesh kurrë
Në vesën e lotit të rrejshëm gërmadhat e kujtimit t’i
rrëzosh. Shko
Mbyllu në do kështjella të largëta harrimi ku s’të zgjojnë
më
Kumbonat e pendimit kur çmendet mallit vetmia ose kur
buza
buzën
E han n’pikllim që mëkatin s’e lan, që s’mundet ta shpojë
Gurin e rëndë, gurin e ftohtë të ndarjes. Shko, më mirë
Dhe hesht. Mos u kthe mbas. Mos i harro
Sytë e përlotur n’shtekballin tim. Mos thuaj lamtumirë
E kur t’shkojsh, më larg se prej blerimi n’blerim
E kur t’shkojsh larg, më larg se prej zemre në zemër
Aq larg sa ta harrosh edhe emrin tënd dhe zërin tim,
fshihu prej vetes
Shkurto flokëgjatat, mate me to mendjeshkurtrën tënde
dhe mos qaj.
Shko
Se tmerrshëm po lodrojnë sonte n’mua rrëketë e gjakut
të ndezur
EPITAF I NJË KËNGE
Merrni me vete të lashtat
E verës sate që s’erdhi
Mbilli idhur e thellë
Të vogla të verdha buzë heshtjes
Shih si ja bëmë vetes
Vdekshmërinë të pavdekshme
Më le vjeshtor dhe timin
Le të myken të pathëna fjalët
KËRCNIMI
Mbramë...
Ku thehen krahët e gëzimit
E diell’ i jetës tret mbas malit
Hijen tande e pashë
Ngadalë kah unë tue u matë.
Mbramë,
Në cakun e të gjitha caqeve
Ku fjala e kamba ngrihen,
Në përshpëritjen tande tinëzake
Heret, shumë heret e ndjeva
Emnin e vogël t’kurrkushit,
Edhe hijen time kah përpëlitet si gjet i vramë
E pashë ndër dhamb’ t’përgjakun...
Mbramë...
E tash
Shpeshherë po e ndjej
Shushuritjen e kambëve t’tua
Livadheve t’gjoksit tim,
Dhe e dij:
- Dikund...
- Ti po vjen
- Me hapa të mdhej sa vjeti.
EKZIL
Fjalën e zgjuam
Nga gjumi i gjatë nga bari
Qen e çakaj
U vunë pas ushtimës së saj
Morëm me vete
Syrin e madh dhe vajtëm
Atë ditë e sot
Na kërkon gjithkah e pabëra